HISTORIKU I PATOSIT
Emri “Patos” rrjedh nga greqishtja e lashtë dhe lidhet me kuptimin e zjarreve që shpërthenin në rërat bituminoze të këtij fshati. Tre vendbanimet kryesore të quajtura Patos — Patosi Fshat, Patosi i Vjetër dhe Patosi i Ri — kanë qenë të lidhura ngushtë me zhvillimin e industrisë së naftës. Qyteti i ri i Patosit filloi të formohej në qershor të vitit 1949 dhe mori emrin “Qyteti i Naftëtarëve” për të nderuar punën e palodhur të inxhinierëve dhe specialistëve të përkushtuar, të cilët dhanë një kontribut të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Sot, Patosi është qendra kryesore e industrisë së naftës në Shqipëri.
Me një vendndodhje në jugperëndim të Shqipërisë, ky qytet i vogël, por mjaft tërheqës, ofron një shumëllojshmëri vlerash historike, natyrore dhe kulturore, duke mbajtur thesare të veçanta të trashëgimisë edhe pse ende nuk ka marrë vëmendjen e merituar turistike. Aktualisht, Patosi është gati për t’u eksploruar nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Qyteti i Patosit u zhvillua si një qendër e re banimi dhe shërbimi social për naftëtarët dhe familjet e tyre gjatë viteve ’40 të shekullit të kaluar, duke krijuar një shtresëzim të pasur social-kulturor, të ndërthurur me traditat dhe psikologjinë e zonave prej nga banorët vinin. Edhe pse qyteti pati hov zhvillimi në këtë periudhë të afërt, vendbanimet në këtë zonë kanë ekzistuar për shekuj të tërë. Rajoni i Patosit ka një histori të lashtë, me dëshmi të vazhdueshme të jetës njerëzore që prej 3000 vjetësh.
Gjurmët e epokës së bronzit të vonë (1500 p.e.s – 1100 p.e.s) janë të pranishme në varrezën tumulare të Patosit. Gjithashtu, gjurmët e vendbanimeve mijëvjeçare dëshmohen nga të dhënat arkeologjike të shekujve IV – III p.e.s, të cilat tregojnë zhvillimin e një prodhimtarie të zhvilluar zejtarie që nxiti zgjerimin e veprimtarive tregtare dhe rritjen e gjithanshme ekonomike në këtë zonë.
Të dhënat arkeologjike dhe numizmatike nga qytetet ilire, si Lis, Zgërdhesh, Selca e Poshtme, Irmaj, Dimal, Klos, Margëlliç, Amantia, Antigone etj., dëshmojnë për një rritje të ndjeshme të volumit të mallrave që hidhej në treg dhe për një qarkullim të dendur monetar. Në këtë periudhë, Dyrrahu dhe Apolonia luajtën një rol të rëndësishëm në tregun ilir gjatë periudhës helenistike, ndërsa gjurmët e këtij qytetërimi shfaqen edhe në këto vendbanime.
Të gjitha këto dëshmi flasin për një vendbanim të fortifikuar të rëndësishëm që ka pasur një zhvillim të vazhdueshëm dhe që ka marrë funksionet e një qendre ekonomike me kalimin e kohës.