Ndihma Ekonomike
Si Mund të Përfitohet Ndihmë Ekonomike?
Ligji 57/2019 “Për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë” përcakton sistemin e ndihmës dhe te përkujdesjes shoqërore për të dhënë ndihmë ekonomike familjeve të shtetasve shqiptar, te cilëve ju mungojnë të ardhurat dhe mjetet e jetesës krejtësisht ose i kanë ato të pamjaftueshme. Në rastet kur është e nevojshme dhe e mundshme, në vend të ndihmës ekonomike ose si shtesë e saj, ofrohen shërbime publike të përkujdesjes shtetërore.
Përfitues të ndihmës ekonomike janë:
a) familjet në nevojë;
b) jetimët të cilët nuk janë në institucione;
c) prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;
ç) viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;
d) viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
Nga ky ligj nuk përfitojnë:
1. Shtetasit shqiptarë që banojnë jashtë vendit si emigrantë, me përjashtim të personave dhe të familjeve të tyre të caktuar me punë pranë përfaqësive tona diplomatike dhe organizmave ndërkombëtare.
2. Azilkërkuesit, të cilët nuk kanë marrë statusin e azilantit.
3. Shtetasit shqiptarë, shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe e luftërave.
Bllok ndihma 6%:
Ndihma ekonomike shpërndahet në formën e “bllok ndihmës” që nënkupton ndihmën, krejtësisht në para, e cila jepet nga shteti për qëllim të caktuar. Masa e ndihmës ekonomike mujore përcaktohet nga Këshilli i Bashkisë i cili merr në konsideratë:
- Fondin e bllok-ndihmës
- Vendimin e Këshillit të Ministrave në lidhje me kriteret e familjeve që nuk kanë të drejtë të përfitojnë ndihmë ekonomike.
- Me fondin e bllok-ndihmës 6% trajtohen familjet që nuk kanë dalë përfituese nga sistemi i pikëzimit.
Ndihma ekonomike është:
- E plotë, kur mungojnë të ardhurat krejtësisht;
- E Pjesshme, kur plotëson te ardhurat të pamjaftueshme.
Kufizimi në kohë i ndihmës ekonomike:
Ndihma ekonomike jepet në formën e një kësti mujor, në lekë, ose përfitimi mujor, në natyrë për kategoritë e përcaktuara në ligj. Ndihma ekonomike është e kufizuar në një afat kohor prej 5 vjetësh. Kufizimi në kohë i ndihmës ekonomike nuk aplikohet, për:
a) familjet, anëtarët e së cilës janë mbi moshë pune;
b) familjet me kryefamiljare gra, me të paktën një fëmijë që ndjekin arsimin bazë.
Dokumentat që paraqiten për aplikim për ndihmë ekonomike:
- Kopjen e kartës së identitetit të aplikantëve.
- Certifikatën e pronësisë, të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme/ vërtetimin e lëshuar nga Zyra e Kadastrës, apo aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës, për zonat ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende.
- Çertifikatë familjare.
- Familjet që plotësojnë kriteret, paraqiten nga data një deri në datën dhjetë të çdo muaji për aplikim pranë zyrës së ndihmës ekonomike.
- Antarët në moshë madhore të familjes paraqiten çdo tre muaj për të bërë deklarimin e ndryshimeve ose jo në familje.
- Për rastet që janë në proces zgjidhjeje martese dhe ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, dokumentacioni paraqitet i ndarë nga secili bashkëshort. Krahas këtij dokumentacioni paraqitet edhe vërtetimi i gjykatës që bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martese.
- Për familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë invalidë pune apo persona me aftësi të kufizuara që përfitojnë pagesë për aftësinë e kufizuar, paraqesin edhe kopjen e vërtetimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë.
- Për fëmijët e familjeve në nevojë, që ndjekin arsimin bazë, paraqesin edhe vërtetimin për ndjekjen e shkollës të lëshuar nga shkolla, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar dy herë brenda një viti shkollor, për të përfituar pagesën shtesë.
- Për fëmijët e familjeve në nevojë që vaksinohen paraqesin edhe fotokopje nga libri i shëndetit të fëmijës për vaksinën e kryer sipas kalendarit të detyrueshëm për grup-moshat e fëmijëve, për të përfituar pagesën shtesë.
- Jetimët, të cilët nuk janë në institucione, paraqesin pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore në bashkinë/njësinë administrative:
a) kopjen e noterizuar për statusin e jetimit, sipas kërkesave të parashikuara në ligjin për statusin e jetimit, të ndryshuar. - Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre, paraqesin:
a) vërtetimin e trajtimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore, të lëshuar brenda 30 ditëve të fundit. - Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes paraqesin:
a) urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes.
Kriteret e përfitimit dhe procedura e dhënies së ndihmës ekonomike
Ndihma ekonomike, që përfitojnë familjet në nevojë, është e plotë ose e pjesshme.
- Ndihmë ekonomike të plotë përfitojnë familjet ose individët, që nuk kanë të ardhura nga:
a) veprimtaria ekonomike;
b) programet e ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore ose ndonjë sistem tjetër i mbrojtjes shoqërore;
c) kapitali;
ç) pjesëtarët e familjes që janë në emigracion.
Ndihma ekonomike është e pjesshme kur familja pretenduese ka të ardhura të pamjaftueshme nga:
a) toka;
b) bagëtia, shpendët, bletët, vreshtaria e kopshtaria;
c) pensionet dhe të ardhura të tjera.
Përjashtimi nga ndihma ekonomike:
Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë gjashtë mujore, familjet të cilat kanë në përbërje të tyre edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes, kur nuk krijohet një kurorë e re, me përjashtim të rastit vajzë nënë;
b) Nuk tërheq ndihmën ekonomike, brenda një afati 10-ditor nga dita e depozitimit në llogarinë bankare/kryerjes së pagesave nga Posta Shqiptare, për përfituesit e ndihmës ekonomike me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme si shëndetësore dhe fatkeqësi;
c) Refuzon verifikimin e situatës social-ekonomike në familje.
ç) Fsheh informacionin apo kryen deklarim të rremë mbi të dhënat e kërkuara
d) Nuk deklaron ndryshimet e situatës social-ekonomike në deklaratën e paraqitjes çdo tre muaj të familjes;
dh) Refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional ose refuzojnë ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës, për anëtarët në moshë aktive pune të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit;
e) Anëtarët në moshë aktive pune të aftë për punë, nuk rezultojnë punëkërkues të papunë, apo të vetëpunësuar pranë zyrave të punës.
Masa e ndihmës ekonomike
- Përllogaritja e masës së plotë të ndihmës ekonomike, për familjet e përzgjedhura në bazë të formulës së pikëzimit, bëhet sipas strukturës së familjes.
- Kur në përbërjen e strukturës së familjes, për efekt të llogaritjes së masës së ndihmës ekonomike, mbetet vetëm një anëtar, masa e ndihmës ekonomike për këtë të fundit është ajo e llogaritur për këtë anëtar.
- Për bashkëshortët në proces zgjidhjeje martese, kur ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, masa e ndihmës ekonomike për secilin bashkëshort, do të jetë e përllogaritur në bazë të strukturës së familjes..
- Masa e ndihmës ekonomike, në muaj, për prindërit e fëmijëve të lindur është, si më poshtë:
a) trinjakë 3 000 (tre mijë) lekë, për çdo fëmijë;
b) katërnjakë 4 000 (katër mijë) lekë, për çdo fëmijë;
c) pesënjakë 5 000 (pesë mijë) lekë, për çdo fëmijë.
Kjo ndihmë ekonomike përfitohet deri në mbarimin e arsimit bazë, por jo më shumë se 18 vjeç. - Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit është 3 000 (tre mijë) lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre.
- Masa e ndihmës ekonomike për çdo viktimë të dhunës në marrëdhëniet familjare, të përcaktuar në urdhrin e mbrojtjes apo urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, është 3 000 (tre mijë) lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet gjatë periudhës së vlefshmërisë të urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të përcaktuar në vendimin e gjykatës.
- Masa e ndihmës ekonomike, për çdo jetim, është 3 000 (tre mijë) lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet nga jetimët që nuk janë në institucione deri në çastin e punësimit të tyre.
- Anëtarët e familjes, fëmijë, për të cilët vërtetohet që ndjekin arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç, marrin një shtesë në masën 300 (treqind) lekë në muaj gjatë vitit shkollor.
- Anëtarët e familjes, fëmijë, për të cilët vërtetohet se janë vaksinuar sipas kalendarit të vaksinimit, marrin një shtesë në masën 100 (njëqind) lekë, për çdo vaksinë të kryer.
Për anëtarin e familjes në nevojë, që është person me aftësi të kufizuara, invalid pune, nuk llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen.